Barduani: Beogradi i di vijat e kuqe në Kosovë, KFOR-i gati të reagojë ndaj çdo kërcënimi
Komandanti i forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Enrico Barduani, ka deklaruar se autoritetet serbe janë plotësisht të vetëdijshme për “vijat e kuqe” që nuk duhet të kapërcehen në raport me sigurinë në Kosovë.
Sipas tij, këto janë të përcaktuara qartë në marrëveshjet ndërkombëtare dhe KFOR është i përgatitur të reagojë ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.
Në një deklaratë të dhënë gjatë një interviste në RTV 21, gjenerali italian ka sqaruar se “vijat e kuqe” bazohen në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në Marrëveshjen Teknike Ushtarake të nënshkruar mes NATO-s dhe Serbisë më 1999.
“Po, Beogradi i njeh vijat e kuqe. Ato janë të shkruara qartë në marrëveshjet që na udhëheqin. KFOR-i mbetet i përqendruar në misionin për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë”, theksoi Barduani.
Ai shtoi se forcat e KFOR-it janë të pranishme në terren dhe të gatshme të ndërhyjnë nëse paraqiten zhvillime serioze në fushën e sigurisë.
“Njësitë tona janë të vendosura në mënyrë strategjike për të parandaluar çdo rrezik të madh eskalimi. Por nëse është e nevojshme, do të reagojmë sipas mandatit që kemi nga OKB-ja”, deklaroi ai.
Gjenerali Barduani ka theksuar se sipas marrëveshjes ekzistuese, Serbia ka detyrimin që të informojë KFOR-in për çdo lëvizje ushtarake pranë vijës kufitare administrative, brenda zonës tampon pesë kilometërshe të njohur si “ish-zona e sigurisë tokësore”.
“Ky mekanizëm ndihmon për të shmangur keqkuptimet dhe për të ruajtur stabilitetin. Deri më tani ka funksionuar mirë dhe jemi të kënaqur me nivelin e bashkëpunimit profesional me palën serbe”, tha ai.
Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU.