Zbulohet pllaka përkujtimore për civilët shqiptarë të pushkatuar pas Luftës së Dytë Botërore, Rama: Këtu toka flet
Në Prishtinë është mbajtur ceremonia e zbulimit të pllakës përkujtimore kushtuar civilëve shqiptarë të pushkatuar nga ish-forcat komuniste jugosllave në pesëvjeçarin e parë pas Luftës së Dytë Botërore.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky vend është “tokë që flet me kujtesën e saj”, duke e quajtur pllakën një akt të vonuar, por të domosdoshëm për nderimin e të rënëve. Ai madje theksoi se do të kujtohet përherë se liria nuk është dhuratë, por amanet.
“Është kjo një pikë e qytetit tonë, ku vetë toka flet. Flet me kujtesën e saj. Prishtina e ka njohtë këtë vend me një emër të kobshëm: strelishte – që përkthehet: vendpushkatim. Dhe ky emër, ndonëse i tmerrshëm, nuk duhet e nuk mund të harrohet. Pas Luftës së Dytë Botërore, që mbaroi me vija të reja përmbi harta, terrori vazhdoi mbi njerëzit. U vendos ‘administrimi ushtarak jugosllav’ dhe me të erdhën qelitë e mbushura me patriotë shqiptarë dhe pushkatimet pa gjyq. Pikërisht në këtë vend. Këtu u rrëmbye fryma e mijëra shqiptarëve. Shumë u zhdukën pa gjurmë, u varrosën diku pa emër. Shumë emra nuk i dimë ende, e shumë trupa nuk u gjetën kurrë. Por dimë diçka thelbësore: ata patriotë u prunë këtu, sepse patën guximin me kërku lirinë. ëNë mesin e tyre ishin edhe atdhetarët e Lëvizjes Nacionale Demokratike Shqiptare – një grup idealistësh të vendosur që kërkuan liri, që e deshën të ardhmen pa pranga”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se kujtesa për këtë tragjedi duhet të shërbejë si amanet për liri dhe si mësim për brezat e ardhshëm.
“Në Prishtinën e atyre viteve, historia e shënoi edhe 31 gushtin e vitit 1947, një natë e errët, por me emra që mbetën të pashlyeshëm, si dritë në terr: Gjon Serreçi, Ukë Sadiku, Ajet Gërguri, Osman Bunjaku. Ata u nxorën pa zbardhë agimi dhe u pushkatuan këtu, në Taukbahçe. Mandej, trupat ua hodhën në një varr të përbashkët. Sot, këta emra janë pishtarë të kujtesës. E ky është vend i dhimbjes, i kujtesës, po edhe i dinjitetit. E dimë se kjo pllakë përkujtimore vjen shumë e vonë. Duhet të ishte vendosë këtu nja dy dekada më parë. Dhe e dimë mirë se ajo, edhe sot që po e shpalosim, nuk ka me i mbyllë plagët, nuk ka me kthy gjyshër, prindë, vëllezër, nuk ka me na tregu ku janë varret që nuk dihen. Por ka me bë një gjë të madhe. Ka me i dhanë zë kësaj toke që flet. Ka me i lidhë të kaluarën me të tashmen, që kur të ndalemi pranë saj, të kujtojmë se liria nuk është dhuratë, por amanet. Se qyteti nuk jeton veç me rrugë e ndërtesa; jeton me kujtesë. Me kujtesë që i thotë të kaluarës së kësaj toke: ‘Ne të njohim. Ne të ndjejmë’. Dhe kjo pllakë do t’i flasë edhe të ardhmes që po ndërtojmë, e do t’i thotë: Ne, nuk kthehemi mbrapa. Prishtina sot i drejton sytë kah e ardhmja. Me këtë pllakë, me këtë kujtesë, me premtimin që të mos harrojmë, të mësojmë, të ndërtojmë. Nga ky vend i dhimbjes, prandaj, le të dalë një dritë që shkon te çdo bankë shkolle, te çdo shtëpi. Që fëmijët të na rriten me të vërtetën në mendje dhe me guximin në zemër. Që amaneti i atdhetarëve të rënë në këtë vend të rrojë në punën tonë të përditshme. Këtu toka flet. E ne po e dëgjojmë dhe po i japim fjalën: Kujtesë. Dinjitet. Liri përgjithmonë”, tha Rama.
Pllaka është vendosur në Taukbahçe, aty ku u ekzekutuan pa gjyq shumë patriotë shqiptarë, mes tyre edhe Gjon Serreçi, Ukë Sadiku, Ajet Gërguri e Osman Bunjaku./EO