Në Hagë përmendet “incidenti” në një qendër ndalimi të UÇK-së, Duncani: S’më kujtohet
Ish-këshilltari i Wesley Clarkut, John Stewart Duncan, gjatë dëshmisë së tij në Hagë është pyetur në lidhje me një incident në një “qendër ndalimi” të UÇK-së, më 18 korrik të vitit 1999, rreth orës 07:25.
“Gjenerali Jackson ka dhënë në dëshminë e vet që ka pasur biseda të gjëra dhe pasur probleme me Hashim Thaçin dhe me komandantë zonash për sa u përket qendrave të ndalimit. A jeni në dijeni ju për këtë?”, pyeti prokurori dëshmitarin.
“Jo, nuk di gjë lidhur me këtë”, u përgjigj Duncani.
“Në orën 07:25, më 18 korrik 1999, e diel, duket sikur të ketë qenë një qendër ndalimi e UÇK-së dhe në të njëjtën kanë hyrë trupat e KFOR-it. KFOR-i vizitoi atë dhe thuhet se ka arrestuar 7 individë me uniformë dhe që kishin karta identifikimi të UÇK-së. A dini gjë për këtë incident”, ishte pyetja tjetër që prokurori ia bëri Duncanit.
Dëshmitarit ky “incident” nuk i kujtohej.
“Nuk mendoj që më kujtohet ky incident, megjithatë ky ishte qëllimi kryesor i marrëveshjes, marrëveshja synonte të ofronte një mekanizëm ku ata që kryenin veprime të tilla t’i bënim përgjegjës”, tha ai.