Pse kemi mungesë të vitaminës D ndonëse ekspozohemi mjaftueshëm në diell?
Përtej rrezeve të diellit, faktorët biologjikë dhe mjedisorë e bëjnë këtë vitaminë jetike të mungojë më shpesh se sa mendojmë
Vitamina D njihet si “vitamina e diellit”, sepse trupi e prodhon natyrshëm kur lëkura ekspozohet ndaj rrezeve UVB. Megjithatë, në të gjithë botën, rreth një miliard njerëz vuajnë nga mungesa e vitaminës D dhe gjysma e popullsisë ka nivele jo të mjaftueshme, sipas të dhënave të Cleveland Clinic. Kjo krijon një paradoks: pse mungon vitamina D edhe në vendet ku njerëzit kalojnë shumë kohë në diell?
Faktorët biologjikë
Një arsye kryesore është pigmentimi i lëkurës. Melanina, që i jep ngjyrën lëkurës, vepron si një filtër natyral ndaj rrezeve UVB. Sa më e errët lëkura, aq më pak vitaminë D prodhon trupi. Këtë e ka vërtetuar një studim i botuar në Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism nga profesor Neil Binkley dhe kolegët e tij, ku theksohet se personat me lëkurë të errët mund të vuajnë nga mungesa e vitaminës D edhe kur jetojnë në zona me shumë diell.
Mosha është një tjetër faktor. Me kalimin e viteve, aftësia e lëkurës për të sintetizuar vitaminën D zvogëlohet ndjeshëm. Cleveland Clinic shpjegon se personat mbi 65 vjeç kanë rrezik më të lartë për mungesë, pasi lëkura e tyre nuk është më aq efikase në shndërrimin e rrezeve UVB në vitaminë D aktive.
Edhe obeziteti ka ndikim. Si vitaminë liposolubile, vitamina D grumbullohet në indin dhjamor. Kjo bën që te personat obezë ajo të mbetet e bllokuar dhe të qarkullojë më pak në gjak, gjë që shpesh kërkon doza më të larta suplementesh për të arritur nivele optimale, transmeton Telegrafi.
Faktorët mjedisorë
Gjeografia dhe stinët kanë një rol të madh. Në vendet larg ekuatorit, gjatë dimrit dielli është me kënd më të ulët dhe rrezet UVB nuk janë të mjaftueshme për prodhim. Një rishikim i publikuar në Frontiers in Nutrition nga profesor Xuehong Wu nënvizon se ekspozimi i moderuar gjatë muajve të ngrohtë mund të sigurojë nivele të mjaftueshme, por në muajt e ftohtë shumë njerëz kanë nevojë për ushqime të fortifikuara ose suplemente.
Një tjetër element është përdorimi i kremrave solarë. Ndërsa ata janë të domosdoshëm për mbrojtjen e lëkurës nga djegiet dhe kanceri, studimi i publikuar në revistën Nutrients nga Raymond-Lezman dhe bashkautorët tregon se aplikimi i kremrave me faktor të lartë mbrojtës kufizon ndjeshëm prodhimin e vitaminës D në lëkurë.
Përfundim
Fakti që ekspozohemi në diell nuk garanton nivele të mjaftueshme të vitaminës D. Ngjyra e lëkurës, mosha, obeziteti, gjeografia, kremrat mbrojtës, sëmundjet kronike dhe ilaçet janë disa nga faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në këtë paradoks. Siç thekson Cleveland Clinic, kombinimi i ekspozimit të kujdesshëm në diell me një dietë të pasur në ushqime që përmbajnë vitaminë D dhe përdorimi i suplementeve kur është e nevojshme, mbetet rruga më e sigurt për të ruajtur shëndetin e kockave, muskujve dhe sistemit imunitar.