Nënshkruhet deklarata për një kulturë politike me integritet, LVV-ja nuk merr pjesë

Kryetarët e Forumeve Rinore Politike në Kosovë kanë nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët, përmes së cilës zotohen për një kulturë politike me integritet, pa gjuhë urrejtjeje dhe pa dezinformim gjatë fushatave zgjedhore.

Në këtë nënshkrim nuk ka marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje, gjë që është kritikuar nga përfaqësuesit e tjerë rinorë.

Ky proces u mundësua nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, në partneritet me Demo Finland.

Drejtoresha ekzekutive e Institutit të Prishtinës për Studime Politike, Leonora Kryeziu, tha se programi është konceptuar si një platformë gjithëpërfshirëse dhe ka sjellë një arritje konkrete.

“Ky program, i zhvilluar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike në partneritet me Demo Finland, është konceptuar si një platformë gjithëpërfshirëse që u mundëson të rinjve nga të gjitha partitë politike të Kosovës të angazhohen në dialog, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi përtej ndarjeve partiake. Gjatë muajve, kjo platformë ka dëshmuar vlerën e saj të jashtëzakonshme. Edhe pse jo pa sfida, ajo ka treguar se ekziston vullnet i vërtetë për dialog, për shkëmbim idesh dhe për ndërtimin e besimit mes jush – të rinjve që përfaqësoni gjeneratën e ardhshme të lidershipit politik. Si rezultat i këtij bashkëpunimi të qëndrueshëm, sot kemi para vetes një arritje konkrete: Deklaratën e përbashkët të forumeve rinore”, tha ajo.

Ajo shtoi se deklarata është një zotim moral dhe politik në kohë polarizimi.

“Kjo deklaratë është një zotim moral dhe politik. Në një kohë kur vendi po përballet me polarizim të madh, ju – rinia politike – po dërgoni një mesazh ndryshe: se politika mund të bëhet me dinjitet, se fushatat zgjedhore mund të zhvillohen pa gjuhë urrejtjeje dhe pa dezinformim, dhe se respekti duhet të qëndrojë në themel të debatit publik. Duke nënshkruar këtë deklaratë, ju po konfirmoni se rinia nuk është vetëm spektatore e proceseve politike, por është aktore aktive që kërkon ta ndryshojë kulturën politike në Kosovë. Kjo është një shenjë e qartë se ndryshimi është i mundur dhe se ndryshimi fillon me ju”, tha ajo.

Kryetarja e Forumit Rinor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Amire Ajeti, e cilësoi këtë hap si të rëndësishëm për politikën me integritet.

“Është një hap i rëndësishëm për rininë në politikë dhe jo vetëm, për arsye se po besoj që secili nga ne beson që politika duhet të bëhet me integritet dhe me respekt”, tha ajo.

Ndërsa Arbnora Salihu, kryetare e Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Kosovës, theksoi traditën e partisë së saj për të refuzuar gjuhën e urrejtjes.

“Është e rëndësishme të theksoj që PDK-ja ndër vite ka dalë me deklarata në prag të fushatave ku ju ka bërë thirrje strukturave të saj, aktivistëve të saj që të mos përdorin gjuhë të urrejtjes dhe të respektojnë mendimin ndryshe. Ne si Rini Demokratike kemi qenë më shumë se gati të nënshkruajmë këtë deklaratë sepse ne në vazhdimësi kemi punuar në këtë drejtim”, tha ajo.

Nga Partia Socialdemokrate, Bardh Ahmeti, ka vlerësuar frymën me të cilën ka nisur ky proces.

“Besoj që kjo fushatë ka nisur shumë pozitivisht, kemi parë takimet e kandidatëve për kryetar të komunave, kemi parë një qasje shumë më të mirë nëpër televizione, përpjekje një jete që ka vazhduar që të mbahet arroganca”, tha ai.

Ndërsa Paris Guri nga Lidhja Demokratike e Kosovës e quajti hap të rëndësishëm, por shprehu edhe kritika ndaj mos pjesëmarrjes së Vetëvendosjes.

“Është hap shumë i rëndësishëm. Fatkeqësia është që nuk është partia (VV) e cila është shkaktarja kryesore pse na është dashur me u ul edhe nënshkruar këtë deklaratë. Për shkak që mos të kish qenë diskursi i asaj partie politike ne nuk kishim qenë këtu për të nënshkruar këtë. Është fatkeqësi pse ata nuk kanë mundur me ardhë. E kuptoj politikën e partisë, mirëpo ne rinia duhet me qenë ai hapi, që e bëjmë kapërcimin dhe ndryshojmë skenën politike, diskursin dhe mundohemi me shëru këtë polarizim”, tha ai.

Ndërkaq Anila Vrajolli, nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk mori pjesë në nënshkrimin e deklaratës, gjë që u kritikua nga përfaqësuesit e forumeve të tjera.

Në deklaratën e nënshkruar nga forumet rinore thuhet:

forumet rinore të partive politike të Kosovës, të bashkuara në këtë deklaratë, angazhohemi për një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse, ku çdo debat dhe pjesëmarrje publike, duke përfshirë edhe fushatën dhe procesin zgjedhor, të zhvillohet me integritet, transparencë, dhe qasje në informata të paanshme. Ne angazhohemi të luftojmë dezinformimin, gjuhën e urrejtjes dhe dhunën online, duke ruajtur etikën politike dhe duke mos toleruar dhunë në politikë apo në jetën publike.

Rreth gjuhës së urrejtjes dhe ndarjes sociale, ne zotohemi: Të shmangim çdo formë përdorimi të gjuhës së urrejtjes. Të refuzojmë çdo gjuhë diskriminuese që ushqen paragjykime gjatë aktiviteteve të komunikimit dhe fushatës, duke përfshirë edhe rrjetet sociale. Të kushtohet vëmendje e veçantë mbrojtjes së grave nga ngacmimi, kërcënimet dhe abuzimi online me bazë gjinore, duke përfshirë sulmet dixhitale të koordinuara.

2. Rreth dezinformimit dhe komunikimit të sinqertë, ne zotohemi që: Të përdorim vetëm informacione të verifikuara dhe të besueshme. Të reagojmë ndaj çdo informacioni të rremë ose mashtrues të ndarë, qoftë të qëllimshëm apo aksidental. Të angazhohemi për një dialog të ndershëm, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në fakte. Të mos përdorim përmbajtje që i bën individët të ndihen si shënjestra të frikësimit ose ngacmimit, qoftë fizik apo online.

Me këtë zotim, rinia jonë angazhohet për një hapësirë publike gjithëpërfshirëse, respektuese dhe të bazuar në dialog, në çdo kohë, përfshirë edhe gjatë fushatave zgjedhore”. /EO