Krejt çka gjeti policia në aksionin te Gërbeshët e Vushtrrisë
Armë, fishekë, dokumente, USB-SanDisk, laptopë - janë disa nga gjërat që njësitet policore kanë konfiskuar gjatë aksionit që patën të dielën në tri lokacione në Vushtrri.
“Njësitet policore pas hetimeve të zhvilluara kanë kontrolluar tri lokacione, dy shtëpi dhe një lokal, pronë e katër të dyshuarve meshkuj kosovarë, të cilët janë arrestuar. Gjatë kontrollit policia kanë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale: dy armë të shkurtra, 352 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë, dy palë dylbi, shtatë telefona celularë, një shkop druri, një palë dorëza, një thikë, dokumente të ndryshme, një pasaportë, një patentë shoferi, një USB-SanDisk, një llaptop, një palë patike dhe një çelës motori. Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, kujtojmë se gjatë ditës është raportuar se aksioni ndodhi në familjen e Gërbeshëve.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë dje njoftoi për katër të arrestuarit. Tre nga ta ngarkohen me veprën penale “Detyrimi”, si dhe një person i cili ka qenë në arrati për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.