Diplomati britanik: Fuqinë reale në UÇK e kishin komandantët e zonave, jo Thaçi
Diplomati britanik John Duncan tha se e ka kuptuar që fuqinë reale në UÇK e kishin komandantët e zonave.
“Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonalë dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneralin Agim Çeku në fillim të negocimit e marrëveshjes”, tha Duncani, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, përmes avokates Nina Tavakoli.
Sipas dëshmitarit, Agim Çeku i kishte thënë se nuk mund të merrej vesh për asgjë nëse nuk merrnin pjesë në negociata komandantët e zonave.
“Ai na tha se unë këtë nuk e bëj dot pa praninë e komandantëve të zonave. ‘Ju duhet të vini në Kosovë’, tha ai. Unë i besova. Ai ishte shumë ngulmues për këtë çështje. Ai tha se Thaçi nuk ishte i disponueshëm dhe për ta bërë një gjë të tillë dhe se (Thaçi) duhej të konsultohej. Më pas ai (Çeku) shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë në qoftë se në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave”, shtoi diplomati.
Dëshmitari tha se këtë bisedë me Çekun e bëri më 14 qershor 1999 në Tiranë.
Dëshmitari Duncan deklaroi se kjo gjë ishte e pazakontë për shkak se forcat e NATO-s nuk e kanë si praktikë që komandantët e zonave të marrin pjesë në negociata nëse kanë një komandant të lartë.