Obërtinca për Naim Murselin: Truri i tij funksionon mirë dhe pa telashe
Në seancën gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt ka dëshmuar edhe eksperti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Bujar Obërtinca.
Ai është përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë lidhur me gjendjen mendore të të akuzuarit Naim Murseli, derisa ka treguar edhe për një aksident që kishte pasur ai me motoçikletë, raporton Ekonomia Online.
“E tërë kjo do të thotë që i njëjti gëzon shëndet të plotë mendor dhe veprimet e tij nuk kanë qenë të ndikuara nga ndonjë proces patologjik psikik”, u përgjigj ai.
Më tej, Obërtinca ka treguar se gjatë ekzaminimit Murseli ka përmendur një aksident me motoçikletë, që kishte ndodhur më herët, për të cilin ai kishte marrë trajtim në Spitalin e Mitrovicës, gjë e konfirmuar edhe nga babai i të ekzaminuarit.
“I ekzaminuara na ka treguar që ka pasur një aksident me motoçikletën e tij dhe na ka treguar që ka qenë i trajtuar në spitalin e Mitrovicës, e dhënë kjo që është konfirmuar edhe nga babai i të ekzaminuarit, ndërsa sa u përket pasojave nga ky aksident, ato janë përjashtuar me anë të ekzaminimit radiologjik, CT ose tomografisë… ku nuk është përmendur ndonjë dëmtim i indit trunor, respektivisht ky aksident ka kaluar pa ndonjë dëmtim në strukturë, që do të thotë që truri i tij funksionon mirë dhe pa telashe”, tha ai.