Duncan: Kosovarët kanë qenë pjesë e aparteidit, spastrimit etnik
Diplomati britanik John Stewart Duncan thotë se qytetarët e Kosovës janë më të ndryshëm se ata të Shqipërisë. Sipas tij, kosovarët kanë qenë pjesë e aparteidit gjatë kohës së Sllobodan Millosheviqit e më pas edhe të spastrimit etnik.
“Shqiptarët e Kosovës kanë qenë pjesë e një aparteidi gjatë kohës së Millosheviqit. Kanë qenë të përjashtuar nga pjesëmarrja në qeverisje, shërbime publike dhe gradualisht e gjithë kjo solli spastrimin etnik që e kemi parë të gjithë”, tha ai.
Dëshmitari tha se shqiptarët e Kosovës kanë afeksion me njëri-tjetrin, ndryshe nga ata të Shqipërisë.
“Ishin të ndryshëm nga shqiptarët e Shqipërisë. Sipas mendimit tim, nuk e kishin humbur afeksionin ndaj njëri-tjetrit. Ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Po spekuloj. Ju lutem mirëkuptojeni që thjesht është mendimi im. Shqiptarët e Shqipërisë janë të ndarë kryesisht në tri zona: Veriu që ka gjakmarrje, klane edhe kjo është pjesa dominuese e historisë dhe kulturës së Shqipërisë. Shqipëria e mesme është disi më ndryshe, më e përzier dhe Shqipëria e Jugut është shumë më e ndikuar nga Greqia”, tha ai.
Për Shqipërinë, Duncani tha se nuk mund të thuash se është një shoqëri homogjene.
“Por, pjesa kosovare kryesisht vijnë nga Shqipëria e Veriut; koncepti i nderit, besës. Nuk e di si ta shpjegoj; gjakmarrja, Kanuni ka qenë baza e shoqërisë. Është mënyra sesi ata e perceptonin shoqërinë”, tha Duncani.
Dëshmitari tha se është skocez dhe gjëja e parë që bëjnë me të panjohurit është të pyesin se nga e kanë familjen dhe mos kanë afërsi mes vete. Ngjashëm tha se e bëjnë edhe kosovarët.
“Është një mënyrë e ngjashme e të menduarit”, tha Duncani.
Sipas dëshmitarit, kur shoqëritë cenohen, këto lidhje bëhen më të forta, gjë që ka ndodhur edhe në Britani.
“Gjaku s’bëhet ujë”, tha dëshmitari.