Ç’ndodh me emrin e kandidatit të ndjerë në fletëvotim? KQZ-ja sqaron rastin në Gjakovë

Vdekja e kandidatit për kryetar të Komunës së Gjakovës, gati tri javë para ditës së zgjedhjeve, nuk do të ndryshojë asgjë në fletëvotimin tashmë të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në fletëvotimin e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Gjakovës do të figurojë edhe emri i kandidatit Nikollë Perkaj, nga Balli Kombëtar Demokrat, me numrin 179.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka shpjeguar se çfarë parasheh ligji në rastet kur vdes një kandidat para ditës së zgjedhjeve.

Sipas tij, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka paraparë situata të tilla, por fazën në të cilën ndodhet procesi zgjedhor e bën të pamundur largimin e emrit të kandidatit të ndjerë nga fletëvotimi.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në rast të vdekjes së kandidatit para mbajtjes së zgjedhjeve, një subjekt politik, nismë qytetare ose koalicion mund ta zëvendësojë kandidatin e vdekur brenda një date të caktuar nga KQZ-ja. Pasi aktualisht procesi i shtypjes së fletëvotimeve të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Gjakovës ka përfunduar, largimi i emrit të kandidatit të ndjerë nga fletëvotimi dhe zëvendësim i tij eventual është i pamundur”, ka shpjeguar Elezi për Express.

Elezi ka thënë se në proceset e kaluara zgjedhore, KQZ-ja ka pasur raste të tilla dhe zëvendësimi është bërë i mundur në rastet kur ende s’kishte ndodhur shtypja e fletëvotimeve.