Serwer: Prania ushtarake amerikane në Kosovë është mbështetja më e rëndësishme

Profesori në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka tërhequr vërejtjen për dobësimin e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se prania e trupave amerikane në Kosovë mbetet garancia më e madhe e sigurisë.

“Mbështetja e SHBA-së është thelbësore në shumë drejtime, por më e rëndësishmja lidhet me praninë e ushtarëve amerikanë në terren. Kosova do të dëshirojë t’i mbajë ata aty. Dhe, unë mendoj se duhet të mbeten aty”, tha Serwer për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Ai sugjeroi që Kosova të forcojë lidhjet edhe me vende të tjera aleate, veçanërisht në një kohë kur SHBA-ja, sipas tij, po shpërqendrohet nga sfida të tjera globale.

“Ka opsione të tjera, edhe pse asnjëri nuk është i mirë si amerikanët. Por, nëse bashkoni një grup miqsh, mund ta kompensoni disi humbjen e vëmendjes amerikane. Nuk jam i sigurt nëse Qeveria e Kosovës po e bën këtë, dhe është e vështirë për një qeveri në detyrë ta bëjë këtë”, u shpreh Serwer.

Në mesin e vendeve që përmendi si partnerë të mundshëm për Kosovën janë Japonia, Koreja e Jugut dhe Greqia.