Man United triumfon në derbin ndaj Chelseas Man United triumfon në derbin ndaj Chelseas

Manchester Unitedi ka shënuar fitore të ngushtë në derbin anglez ndaj Chelseas, në kuadër të xhiros së pestë në Ligën Premier.

“Djajtë e Kuq” fituan me rezultat të ngushtë 2:1, sfidë që doli të jetë shumë dramatike.

Pas vetëm pesë minutave lojë, Chelsea mbeti me një lojtar më pak pasi Roberto Sanchez u ndëshkua me karton të kuq shkaku i një ndërhyrje te Mbuemo.

Me një lojtar më shumë, Man Utd mori krejtësisht dominimin. Bruno Fernandes pas asistimit të Dorgus realizoi për ta zhbllokuar rezultatin.

Ndërsa, ishte Casemiro që e dyfishoi epërsinë për të shënuar me kokë pas harkimit të Harry Maguire (37’).

Mirëpo, ishte natë jo e mirë për brazilianin që vetëm disa minuta më vonë mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga fusha (45+5’).

Chelsea në pjesën e dytë ishte më e rrezikshme. “Blutë” në fakt shënuan përmes Wesley Fofana, por u anulua për pozitë jashtë loje (63’).

Pavarësisht posedimit, “Blutë” e Londrës nuk arritën më shumë se një gol të nderit, që e realizoi Trevoh Chalobah pas asistimit të Reece James (80’).

Unitedi me këtë fitore të madhe ngjitët në pozitën e nëntë me shtatë pikë ndërsa Chelsea qëndron në vendin e gjashtë me tetë sosh.