Alexis Sanchez tregon arsyen se pse Messi dhe Ronaldo kanë fituar aq shumë Topa të Artë
Sulmuesi i Sevillas, Alexis Sanchez beson se dyshja Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë dominuar botën e futbollit për më shumë se një dekadë vetëm shkaku i dashurisë së madhe për këtë sport.
Sanchez ishte dikur bashkëlojtar i Messit te Barcelona, me të cilin arritën shumë suksese, ndërsa u përballë vazhdimisht gjatë asaj periudhe me portugezin.
I pyetur nëse pas kaq shumë vitesh nuk e ka humbur urinë për lojën, Sanchez u përgjigj:
"E dua këtë sport. Kam jetuar me të që kur isha 7 vjeç. Dashuria për futbollin është ajo që më shtyn përpara, njësoj si Cristiano Ronaldo, i cili është shembull absolut. Ai e kthen këtë profesion në diçka të pabesueshme. Po ashtu edhe Messi”.
Sipas tij, sekreti i suksesit të dyshes që kanë fituar së bashku më shumë Topa të Artë në histori qëndron tek pasioni i pashuar për lojën:
"Mendoj se arsyeja pse të dy kanë kaq shumë Topa të Artë është sepse e duan futbollin më shumë se çdo gjë tjetër dhe, më e rëndësishmja, nuk e kanë humbur kurrë atë dashuri”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Sanchez ka zhvilluar një paraqitje në La Liga, duke kontribuar me një asistim në proces.