Barduani mbledh ambasadorë e shefa të misioneve të NATO-s, temë siguria e dialogu

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka pritur në takim ambasadorët dhe shefat e misioneve të 33 aleatëve të NATO-s që kontribuojnë në Kosovë.

Sipas KFOR-it, ky takim ofroi mundësi për të shkëmbyer mendime mbi gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe mbi aktivitetet aktuale të KFOR-it në mbështetje të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare.

“KFOR ka luajtur një rol vendimtar në kontributin për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. I falënderoj përfaqësuesit e të gjitha vendeve kontribuuese të trupave të KFOR-it për mbështetjen e tyre kyçe në këtë drejtim”.

“Kjo është një dëshmi e përkushtimit të palëkundur të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për stabilitetin rajonal”, tha Barduani.

Tutje, ai u shpreh se KFOR-i e mbështet dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja, si korniza për adresimin e çështjeve të pazgjidhura dhe për ndjekjen e zgjidhjeve afatgjata në dobi të të gjitha komuniteteve.