Plagoset një person me armë gjahu në Viti, i dyshuari në arrati
Një person ka mbetur i plagosur pas një incidenti me armë zjarri që ka ndodhur të enjten pasdite në fshatin Debëlldeh të komunës së Vitisë.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur kur një i dyshuar ka shtënë me armë gjahu në drejtim të viktimës për motive ende të panjohura.
Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Gjilanit. Ndërkohë, i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.
Policia, në koordinim me prokurorin e rastit, ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku ka konfiskuar një pushkë gjysmë automatike, një pushkë pneumatike, një pistoletë me gaz, 149 fishekë, tre gëzhoja si dhe dy DVR të kamerave të sigurisë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti është duke u hetuar, ndërsa kërkimet për kapjen e të dyshuarit janë ende në vazhdim. /Zëri