Gjykata e Mitrovicës refuzon kërkesën për arrest shtëpiak për katër policët e dyshuar për manipulim të provave

Gjykata e Mitrovicës sot, më 18.09.2025, ka refuzuar kërkesën për arrest shtëpiak ndaj katër zyrtarëve policorë të dyshuar për fshehje dhe manipulim të provave.

“Ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve Q.K., B.M., L.T., dhe F.A., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, kundërshtimeve dhe argumenteve të paraqitura nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, si dhe analizimit të të gjitha shkresave të lëndës, ka vlerësuar se nuk ka nevojë për caktimin e ndonjë mase.

“Për këtë arsye, gjykata ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe ka urdhëruar që të pandehurit të lihen në liri, duke theksuar se nuk duhet zbatuar një masë më e rëndë kur është e mjaftueshme një masë më e butë për sigurimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurë”- thuhet në komunikatë.