E vranë dhe e groposën babanë, Prokuroria kërkon burg të përjetshëm për Hysen Metën dhe 30 vite për vajzën

Prokuroria e Durrësit ka kërkuar burgim përjetë për shtetasin Hysen Meta, i cili bashkë me motrën dhe vëllanë vranë dhe groposën babanë e tyre Pëllumb Metën, ngjarje e ndodhur në Shënavlash në vitin 2024.

Prokuroria kërkon po ashtu 30 vite burg për vajzën e viktimës, 5 vite për djalin tjetër dhe 3 vite për gruan e tij.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare’ e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal të vitit 2024, Prokuroria thotë se u provua se të pandehurit Hysen Meta dhe motra e tij Hygerta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vendosur dhe planifikuar vrasjen e babait të tyre.

Të pandehurit pasi kanë menduar dhe thurur me qetësi planin e tyre për të vrarë babanë, janë përgatitur duke marrë masat për vendin ku do të realizonin vrasjen, për mjetin me të cilin do ta kryenin duke siguruar një armë zjarri, plan ky i realizuar në datë 10.02.2024. Të pandehurit në datë 10.02.2024, ditë e shtunë kanë qenë në banesën e tyre në Shënvlash, Durrës, ndërsa i pandehuri Amarildo Meta ka qenë në punë.

Viktima Pëllumb Meta ka lënë punën në orët e para të mëngjesit të kësaj dite dhe është larguar për në banesën e tij. Rreth mesditës së datës 10.02.2024, viktima ka qenë në kuzhinën e banesës, kohë në të cilën djali i tij i pandehuri Hysen Meta në prani edhe të të pandehurës Hygerta, pasi ka marrë një armë zjarri pistoletë, ka qëlluar në drejtim të babait të tij katër herë. Një prej plumbave nuk ka prekur trupin e viktimës, ndërkohë që tre prej tyre, një në kokë dhe dy në trup kanë rezultuar fatal duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Të dy të pandehurit më pas kanë kryer veprime jo vetëm për të zhdukur gjurmët e vrasjes nëpërmjet stukimit të vrimës në mur, spostimit të divanit në të cilin ka qenë i shtrirë viktima, kanë vazhduar me mbështjelljen e trupit, groposjen e trupit të viktimës në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës dhe më pas kanë vijuar me largimin automjetit nga banesa, zhdukjen e sendeve personale të viktimës si dhe zhdukjen e armës së krimit.

Pas kryerjes së krimit, janë siguruar se të gjitha gjurmët që janë fshehur nga i pandehuri Hysen Meta. Ky shtetas ka bërë kallëzim në polici duke paraqitur zhdukjen e babait si largim nga banesa me vullnetin e tij. Gjatë gjykimit e pandehura e vetmja nga të pandehurit që ka dhënë pëlqimin për t’u pyetur ka deklaruar se babain e ka vrarë vëllai i saj Hyseni në prani të saj.

Në seancën gjyqësore të datës 16.09.2025, prokurorja ka kërkuar:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 79/c e 25 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me burgim të përjetshëm.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/4 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me tre vjet burgim.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim,  parashikuar nga neni 303 e 25 të K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.

4. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të mësipërme në një dënim të vetëm, ate më burgim të përjetshëm.

5. Deklarimin fajtore të të pandehurës Hygerta Meta, për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 79/c e 25 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 25 vjet burgim.

6. Deklarimin fajtore të të pandehurës Hygerta Meta për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim,  parashikuar nga neni 303 e 25 të K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.

7. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të mësipërme në një dënim të vetëm, ate me tridhjetë vjet burgim.

8. Deklarimin fajtor të të pandehurit Amarildo Meta për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim,  parashikuar nga neni 303 e 25 të K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.

9. Deklarimin fajtore të të pandehurës Blerina Meta për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, të parashikuar nga neni 301 I K.Penal dhe dënimi e saj në bazë të kësaj dispozite me tre vjet burgim. /Tch