Policia sekuestron armë dhe municion në Prizren, dy të dyshuar në kërkim

Policia e Kosovës ka sekuestruar tri armë zjarri dhe 161 fishekë gjatë një bastisjeje në Prizren, pas një rasti të shtënave të raportuar më 9 shtator.

Dy të dyshuar janë identifikuar, por ende janë në kërkim.

“Me datë 09.09.2025, rreth orës 03:05, Stacioni Policor në Prizren është informuar për një rast të shtënave me armë zjarri, që dyshohet se ka ndodhur rreth orës 02:45 në rrugën “Mbreti Pleurat” – Prizren. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet hetuese kanë ndërmarrë veprime operative në terren, duke siguruar dëshmi që çuan në identifikimin e dy personave të dyshuar.

Më datë 17.09.2025, rreth orës 14:45, policia ka ndërmarrë veprime për lokalizimin e të dyshuarve në rrugën “Enver Hadri” – Prizren, ku është gjetur dhe sekuestruar një veturë e dyshuar që lidhet me rastin. I dyshuari nuk është hasur në shtëpi. Pas marrjes së urdhrit verbal nga prokurori i rastit, në prezencën e babait të dyshuarit dhe avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, është realizuar kontroll në dy lokacione në Prizren.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar:

• Një (1) pushkë automatike AK-47

• Një (1) pushkë gjysmë automatike me dylbi

• Një (1) pushkë gjuetie

• 161 fishekë të kalibrave të ndryshëm

Të gjitha dëshmitë janë fotografuar dhe evidentuar nga njësia e krim-teknikës.

Të dy të dyshuarit janë në kërkim dhe akuzohen për këto vepra penale: “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë publike” thuhet në njoftimin e PK-së.