Meta prezanton syzet me Inteligjencë Artificiale

Kompania teknologjike Meta ka prezantuar linjën e re të syzeve me Inteligjencë Artificiale. Në konferencën vjetore për zhvilluesit “Meta Connect”, drejtori ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg, njoftoi një sërë pajisjesh të reja në bashkëpunim me markat e njohura të syzeve, Ray-Ban dhe Oakley.

Ndër të tjera, Meta prezantoi edhe një byzylyk nervor që lidhet me syzet Meta Ray-Ban Display, duke u mundësuar përdoruesve të kryejnë funksione të tilla si dërgimi i mesazheve përmes lëvizjeve të vogla të dorës.

Kjo risi vjen në një kohë kur Meta, pronare e Facebook, Instagram dhe WhatsApp, përballet me kritika të vazhdueshme për ndikimin e produkteve të saj, veçanërisht tek fëmijët. Para audiencës, Zuckerberg e cilësoi teknologjinë si një “arritje shkencore të jashtëzakonshme”.

Syzet e reja Meta Ray-Ban Display janë të pajisura me një ekran me rezolucion të lartë dhe me ngjyra të plota në njërën lente, që mundëson thirrje me video dhe lexim mesazhesh. Ato gjithashtu përmbajnë një kamerë 12 megapiksel.

Zuckerberg shpreson që linja e re e aksesorëve inteligjentë të Metës do të shërbejë si platformë kryesore për integrimin e mjetit të saj të inteligjencës artificiale, Meta AI, në jetën e përditshme të njerëzve.

Analistët parashikojnë se syzet inteligjente mund të kenë më shumë sukses sesa projekti shumë miliardë dollarësh i Metës për krijimin e Metaverse, bota virtuale që synojnë të lidhin përdoruesit në një mjedis dixhital të përbashkët.