Basha dhe Malaj diskutojnë për mundësinë e krijimit të një Zyre Ndërlidhëse mes dy parlamenteve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, të enjten ka mirëpritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Sipas njoftimit, gjatë takimit, Basha dhe Malaj kanë diskutuar për idenë e mundësisë së krijimit të një Zyreje Ndërlidhëse në kuvendet e të dyja shteteve, ku deputetët do të informohen në kohë reale për zhvillimet brenda institucioneve përkatëse, pastaj ku shkëmbehen njoftimet për qëndrimet e kuvendeve në raport me temat e caktuara si dhe ku përditësohen lajmet lidhur me procedurat dhe iniciativat në zhvillim me rëndësi për vendet tona.

“Kjo do të ndihmonte edhe në mësim reciprok nga përvoja e komisioneve parlamentare dhe trupat punuese të dyja shteteve, ku shkëmbimi i praktikave më të mira dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional do të lehtësonte adresimin e çështjeve të përbashkëta për të avancuar agjendat e zhvillimit të dy kuvendeve”, thuhet në njoftim.

Në takim, Basha ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shqipërisë për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke shprehur angazhimin serioz të Kuvendit të Kosovës për të avancuar në këtë drejtim.

Ai gjithashtu ka uruar ambasadorin Malaj për hapjen e katër kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Në këtë kuadër, Kryeparlamentari Basha kërkoi gjithashtu mbështetje të mëtejshme nga Shqipëria për t’u përballur me sfidat që Kosova po kalon, sidomos përballë agresionit të vazhdueshëm nga Serbia, e cila, në forma të ndryshme ndërmerr sulme diplomatike, propagandistike dhe destabilizuese ndaj Kosovë”, theksohet në njoftim.

Më tej, Basha ka nënvizuar se është thelbësore që Shqipëria, në takimet me partnerët ndërkombëtarë, të insistojë për largimin e masave të padrejta ndaj Kosovës dhe për një qasje të drejtë e të barabartë në raport me shtetin dhe qytetarët tanë.

Ndërkaq, në fund të takimit, Basha e ka falënderuar ambasadorin Malaj për angazhimin dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke nënvizuar nevojën për një sinkronizim më të madh institucional në të gjitha nivelet, me qëllim të përballimit të sfidave të përbashkëta dhe të avancimit të agjendës evropiane të të dyja shteteve.