Haradinaj kërkon njohjen nga Greqia në takimin me ambasadoren Vakali

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, Heleni Vakali.

Në takim u diskutua për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, për raport ndërmjet dy shteteve, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të tyre.

Haradinaj bën të ditur në Facebook se ambasadores i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e dhënë proceseve për Kosovën dhe e ftoi që të mbështesë Kosovën në angazhimet për njohjen e shtetit nga Greqia dhe në proceset e integrimit euro-atlantik.

“Njohja e Kosovës nga Greqia do të krijonte horizonte të reja zhvillimi, nga e cila do të përfitonin jo vetëm vendet tona, por i gjithë rajoni”, shkruan kreu i AAK-së.