Një person paraqitet rrejshëm si Veton Elshani dhe kërkon para, Policia apelon qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve
Sot rreth orës 09:20 në Stacionin Policor në Zubin Potok është paraqitur një qytetar serb, i cili ka raportuar një rast mashtrimi, ku ai është kontaktuar nga një person i panjohur, i cili është prezantuar rrejshëm në emër të zv.drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën Veriore, nënkolonel Veton Elshani dhe ka kërkuar ndihmë financiare.
Viktima ka dërguar shumën prej 1.000 eurove përmes “Western Unionit” në Bosnjë dhe Hercegovinë, pas dërgimit të parave i dyshuari ka ndërprerë komunikimin.
“Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Mashtrim”, ndërsa njësitë përkatëse policore po vazhdojnë me hetime”.
“Raste të ngjashme me thirrje të rrejshme janë raportuar edhe më parë edhe në qytete tjera të Kosovës si në jug ashtu edhe në veri, ku persona të dyshuar kanë kërkuar mjete financiare në emër të zv.drejtorit Elshani”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë apel për kujdes.
“Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos bien pre e mashtrimeve telefonike ose përmes mesazheve të dyshimta, të cilat janë raportuar kryesisht nga Bosnjë dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, ose çfarëdo telefonate të dyshimtë”.
“Mos u besoni personave të panjohur, të cilët prezantohen rrejshëm si zyrtarë policorë dhe kërkojnë para. Mos dërgoni mjete financiare përmes kanaleve të pasigurta”, thuhet në apelin e Policisë, ku bëhet thirrje që çdo rast të dyshimtë të raportohet menjëherë në Policinë e Kosovës. /Zëri