Sveçla: Municioni i gjetur në veri i përket të dyshuarit kryesor për vrasjen e Afrim Bunjakut
Policia e Kosovës tha se gjatë një kontrolli në veriun e Kosovës ka gjetur pajisje ushtarake, që tha se dyshohet se i përkasin një personi, që kërkohet për sulmin në Banjskë.
Në lidhje me këtë ka dhënë detaje të reja ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se pajisjet ushtarake janë gjetur në pronën e Nemanja Radivojeviqit, i njohur si “Gandi”, e që është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës në Banjskë, ku për pasojë mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku.
“Për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë. Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës. Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën”, shkroi ndër të tjera Sveçla. /Zëri