Jashari kërkon anëtarësimin e Kosovës në nismën “SHBA - Karta e Adriatikut A5”

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në Konferencën e 28-të të nismës “SHBA - Karta e Adriatikut A5”.

Konferenca e 28-të me radhë është realizuar në Tiranë, ku ishin pjesëmarrës shefat e mbrojtjes të vendeve fqinje dhe adjutantët e përgjithshëm të Gardave Kombëtare, të cilët kanë partneritet me shtetet përkatëse të rajonit. Kjo konferencë është udhëhequr nga komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM), komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) dhe bashkëkryesuar nga Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në margjinat e kësaj konference u theksua rëndësia e rritjes së bashkëpunimit rajonal në favor të ballafaqimit me sfidat e sigurisë. Gjithashtu u diskutua edhe rëndësia e bashkëpunimit civilo-ushtarak, në kontekstin e adresimit të sfidave të sigurisë shumëdimensionale.

Ministria e Mbrojtjes, njofton se gjatë adresimit, Jashari edhe kësaj radhe theksoi nevojën dhe rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës si anëtare me të drejta të plota në këtë nismë. Ky veprim do të sillte më shumë paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu në kuadër të konferencës, KOMFSK ka realizuar takimet bilaterale me Komandantin e Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM) dhe njëherësh Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR), Gjeneral Alexus G. Grynkewich, si dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingjin.

Në fund të konferencës të gjitha shtetet pjesëmarrëse u pajtuan që nisma të tilla i shërbejnë sigurisë rajonale dhe adresimit të sfidave të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor. /Zëri