Çifti Macron do t’i ofrojë gjykatës amerikane “dëshmi shkencore” se Brigitte është grua
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, planifikojnë që të paraqesin dëshmi shkencore dhe fotografike në një gjykatë amerikane për të dëshmuar që zonja e parë e Francës është grua.
Avokati i tyre thotë se Macroni dhe gruaja e tij do t’i paraqesin këto dokumente në një padi për shpifje, të cilët ata e kanë ngritur kundër influenceres djathtiste, Candace Owens, pasi ajo e promovoi besimin e saj se Brigitte Macron ishte lindur mashkull.
Avokatët e zonjës Owens janë kundërpërgjigjur me një mocion për ta rrëzuar pretendimin, raporton televizioni BBC.
Duke folur për transmetuesin britanik, avokati i familjes presidenciale, Tom Clare, tha se zonjës Macron i është dukur ky pretendim “tepër shqetësues” dhe se një gjë e tillë është “shpërqendrim” për presidentin francez.
Avokati tha se do të ketë “dëshmi të ekspertëve që do të dalin dhe ato do të jenë shkencore për nga natyra” dhe se çifti është i përgatitur që të dëshmojë “edhe në mënyrë gjenerike, edhe në mënyrë specifike” se pretendimet janë të rreme.
“Është tepër shqetësuese të mendohet se detyrohesh që të dalësh e ta bësh veten subjekt, ta çosh përpara këtë lloj dëshmie”, shtoi ai.
“Është një proces ku ajo [zonja Macron] do të duhet ta bëjë veten subjekt në një mënyrë shumë publike, por është e gatshme që ta bëjë këtë. Ajo është e vendosur në mënyrë të palëkundur që ta bëjë atë që nevojitet për ta vënë në rregull këtë gjë”, tha më tej avokati Clare.
Kur u pyet nëse çifti presidencial do të ofrojë fotografi të zonjës Brigitte shtatzënë dhe duke i rritur fëmijët e saj, Clare tha se ato ekzistojnë dhe do të dorëzohen në gjykatë, ku ka rregulla dhe standarde.
Influencerja Owens në mënyrë të përsëritur e ka paraqitur pikëpamjen e saj se Brigitte Macron është burrë. Në mars të vitit të kaluar, ajo tha se do ta vinte “tërë reputacionin profesional” mbi këtë pretendim. /Nacionale