Kosova duhet të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut, thekson Vengu

Tirana ishte nikoqire për herë të dytë e konferencës së 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (SH.B.A. -A5).

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi se temë e kësaj konference ishte mbrojtja dhe sinergjia civilo-ushtarake, ndërkaq Shqipëria u rikonfirmua partner i besueshëm dhe ndërtues konsensusi në rajon.

“Konferenca e 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (SH.B.A. -A5) ku siguria, mbrojtja dhe sinergjia civilo-ushtarake ishin kryefjalë dhe Shqipëria u rikonfirmua partner i besueshëm dhe ndërtues konsensusi në rajon. Një ditë e frytshme ku me partnerët tanë nënshkruam Deklaratën e Përbashkët që kërkon angazhime konkrete për investime në mbrojtje, modernizim të forcave, siguri kibernetike, stërvitje të përbashkëta, si dhe thekson përfshirjen e vendeve aspirante, siç është Kosova, në këtë nismë rajonale”, shkruan Vengu në një postim në Facebook.

Vengu theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për stabilitet dhe bashkëpunim.

Ai ka folur edhe për rajonin dhe Kosovën.

“Kosova duhet të përfshihet plotësisht dhe formalisht si anëtare e këtij komuniteti”, u shpreh ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu.