Mes lotësh e emocioneve, Mira Kazhani rrëfen luftën me kancerin e gjirit

Gazetarja e njohur, Mira Kazhani, ka ndarë me ndjekësit një prej rrëfimeve më të vështira të jetës së saj. Në podcastin personal, ajo zbuloi se prej një viti po përballet me kancerin e gjirit.

Gazetarja tregoi se diagnoza i erdhi më 2 nëntor 2024, ditë që ajo e përshkroi si “dimri i jetës” së saj.

“U diagnostikova me kancer në gji dhe prej asaj dite gjithçka ndryshoi përgjithmonë. Në podcast keni parë vetëm një pjesë të imazhit tim, ndërsa pjesa tjetër ishte një betejë e gjatë me sëmundjen. Atëherë zgjodha të hesht, të përqendrohem te shërimi im dhe të mos bëhem lajm. Sot ndihem mirënjohëse ndaj kolegëve që e mësuan por nuk e shpërndanë, duke më dhënë qetësi dhe duke mos shqetësuar prindërit e mi, të cilët tani e dinë çfarë po kaloja”, rrëfeu gazetarja.

Ajo shtoi se forcën e ka gjetur duke dëgjuar historitë e grave të tjera që kanë kaluar të njëjtin kalvar. Pavarësisht se kanceri i saj u diagnostikua në fazë të hershme, Kazhani theksoi se sëmundja mbetet një përvojë e rëndë për çdo grua.

“Nuk ka kancer të lehtë. Edhe kur zbulohet herët, është një makth, një plagë e madhe në shpirt e trup”, tha ajo.

Në librin e saj “Një ditë tjetër”, Mira ka dokumentuar me detaje këtë periudhë të vështirë, duke ndarë jo vetëm dhimbjen dhe frikën, por edhe shpresën dhe guximin që e kanë shoqëruar në këtë rrugëtim.

“Gjithmonë kam besuar te rrëfimi. Ky është podcasti më i vështirë i jetës sime, ndaj për të më bërë pyetje këtë herë kam zgjedhur një shoqe jete”, përfundoi Kazhani. /Prive By Liberta Spahiu