Paul Williams: Komandantët lokalë kishin ndikim të dukshëm mbi Thaçin
Paul Williams, i cili ishte këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, e nisi dëshminë e tij për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se mbi Thaçin kishin ndikim komandantë lokalë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thaçi po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit - akuza që ata i kanë mohuar plotësisht.
Williams, ish-këshilltar ligjor pro bono i delegacionit kosovar në bisedimet e Rambujesë gjatë periudhës shkurt–mars të vitit 1999, është dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, pas ish-diplomatit të lartë amerikan, James Rubin.Sipas deklaratës fillestare me shkrim të Williams, e cila u lexua në fillim, ai po dëshmon për procesin vendimmarrës të delegacionit kosovar, objektivat e tij dhe diskutimet mbi demilitarizimin/transformimin e UÇK-së; vëzhgimet e tij e çuan në përfundimin se “Hashim Thaçi nuk kishte autoritet të nënshkruante marrëveshjen pa miratimin e komandantëve rajonalë”.
Duke folur për strukturën e UÇK-së, Williams e përshkroi atë si ad hoc dhe të decentralizuar, me ndikim të madh të komandantëve vendorë dhe “peshë ideologjike” të veprimtarin politik dhe aktivistin për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi.
Ai dëshmoi se Thaçi shpesh merrte telefonata të shpeshta nga jashtë dhe se ndikohej dukshëm nga komandantët lokalë dhe diaspora, përfshirë kontakte në fshatin Rambuje jashtë kompleksit.
“Ai do t’i përgjigjej telefonatave të tyre, do të bisedonin për një periudhë kohe dhe do të kishte reagime nga ai në këtë proces, nga të cilat unë nxora përfundimin se ai ishte i përgjegjshëm dhe nënshtrues”, tha Williams gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit.
Williams tha se sipas asaj që i ishte thënë, Thaçi udhëtoi edhe në Slloveni për t’u takuar me Adem Demaçin, për të siguruar përkrahjen e tij, por ai nuk raportoi sjellje kërcënuese në mbledhjet ku ishte i pranishëm.
“Ndërsa delegacioni kosovar në Rambuje po bënte përparim të ngadalshëm drejt një marrëveshjeje, kishte presione të jashtme, siç i diskutuam më herët, nga komandantët lokalë. Por kishte edhe presion ideologjik dhe, do të thosha, kulturor nga Adem Demaçi, i cili po krijonte pengesa për ecurinë e negociatave dhe ndoshta, nëse jo me siguri, po minonte lëvizjen drejt një marrëveshjeje. Prandaj duhej të merrej parasysh dhe të adresohej”, tha ai.
Ai shtoi se, për Demaçin, çështja kryesore ishte “pavarësia” e Kosovës.
Ndërkohë, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij treditore, tha se Hashim Thaçi kishte rol kryesisht politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.
Sipas tij, ai duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.
Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023.Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998-‘99, Veseli ishte udhëheqës i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së, Krasniqi ishte zëdhënës, ndërsa Selimi në mesin e shtabit të përgjithshëm.
Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe njerëzve që nuk donin të merrnin pjesë në luftime.
Në mbrojtje të ish-eprorëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë edhe disa dëshmitarë të tjerë, përveç Rubinit dhe Williamsit.
Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre është konfidenciale.
Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra - në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.
Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.
Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së./Radio Evropa e Lire