Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e djalit të axhës në Balaj të Ferizajt

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit B.R., i cili dyshohet se vrau djalin e axhës për motive pronësore.

Sipas njoftimit, thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Habib Zeqiri, caktoi masën e paraburgimit, raporton Zeri.info.

“ U vlerësua se ekziston dyshimi i bazuar, më datë 15 shtator rreth orës 19:42, në një fshatë të Ferizajt, i pandehuri me dashje e ka privuar nga jeta të dëmtuarin – djalin e axhës së tij I.R., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme që kishin pasur si pasojë e problemeve në lidhje me një konflikt pronësor, me t`u takuar në rrugën e fshatit me njëri tjetrin, pas fjalosjes verbale në atë moment i pandehuri B.R., e nxjerr revolen e tipit ZIG 14 TISAS Turk, dhe shtënë katër herë në drejtim të viktimës I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit, përkatësisht në regjionin e anës së djathtë, nofullës, regjionin e kraharorit të djathtë dy plagë dhe të dy parakrahët, me ç`rast viktima nga lëndimet e shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë rrugës duke e dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, thuhet në njoftim.

Me këtë, B.R. dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, njofton Gjykata.

Me këtë rast, palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.