“Konsultimi publik në Kosovë, vetëm procedural dhe pa përfshirje domethënëse të publikut”

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ka publikuar gjetjet kryesore nga monitorimi i konsultimit publik në nivel qendror për vitin 2024, duke vlerësuar se konsultimi publik në Kosovë mbeti kryesisht procedural dhe nuk arriti të sigurojë përfshirje domethënëse të publikut.

Edhe pse rreth 80% e legjislacionit dhe politikave të miratuara gjatë vitit 2024 janë publikuar paraprakisht për konsultim në Platformën Online për Konsultim Publik, procesi dështoi të mundësojë:

1) Përfshirje të hershme të publikut;

2) Pjesëmarrje përmes formave të ndryshme të konsultimit; 

3) Trajtim dhe adresim të plotë të kontributeve të publikut.

Gjatë vitit 2024, KCSF ka monitoruar 261 procese të konsultimit publik në nivel qendror të publikuara për konsultim, përfshirë udhëzime administrative, rregullore, projektligje, koncept dokumente, strategji dhe dokumente të tjera.

Gjetjet kryesore nga ky monitorim theksojnë se pati:

- Mungesë të përfshirjes së hershme të publikut: Asnjë takim fillestar me publikun nuk u mbajt para fillimit të hartimit të draft-politikave, duke ua pamundësuar qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile (OShC) të ndikojnë në fazat e para të politikbërjes.

– Dominim i një kanali të vetëm: Platforma Online mbeti pothuajse i vetmi kanal për pjesëmarrje në procesin e konsultimit publik. Në të njëjtën kohë platforma pati probleme të konsiderueshme teknike, duke mos qenë funksionale për një periudhë të caktuar të vitit, gjë që pamundësoi pjesëmarrjen e publikut në proces.

– Publiku nuk u informua se çka ndodhi me kontributin e tij: Për gjysmën e politikave të komentuara, institucionet dështuan të publikojnë informata mbi trajtimin dhe adresimin e komenteve të publikut. Vetëm 53.5% e raporteve përfundimtare të konsultimit u publikuan në Platformën Online, shpesh me vonesa të mëdha.

– Shoqëria civile, kontribuuesja më aktive: OSHC-të kontribuuan me pothuajse gjysmën e komenteve në Platformën Online, duke treguar interesim të vazhdueshëm për të ndikuar në politikbërje.

Në përgjithësi, gjetjet nga monitorimi tregojnë se edhe pse ekziston një bazë ligjore dhe një platformë për konsultim publik, në praktikë procesi shpesh mbetet formal dhe jo gjithëpërfshirës. Përmirësimi i konsultimit publik kërkon adresim si të problemeve teknike ashtu edhe të atyre përmbajtjesore, transparencë më të madhe, mekanizma të larmishëm për pjesëmarrje dhe respektim të standardeve minimale ligjore.

KËTU mund ta shihni materialin e plotë.