Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak mblidhen për shkarkimin e Erion Veliajt

Këshilltarët socialistë të Bashkisë Tiranë mblidhen të mërkurën për të vendosur në lidhje me shkarkimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj.

Në Asamblenë e Partisë Socialiste kryeministri Rama kërkoi që këshilli Bashkiak ta shkarkojë Veliajn, ndërsa propozoi Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e kryeqytetit.

Takimi i këshilltarëve socialistë pritet të nisë pasdite, rreth orës 17:00.

Kryetari i Bashkisë së Tiranë prej shkurtit të këtij viti ndodhet në paraburgim, ndërsa akuzohet nga SPAK-u për veprat penale korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. /euronews