Konfiskohen mbi 500 kg drogë në Suharekë, dyshohet se është marihuanë
Janë konfiskuar mbi 500 kg lëndë, që dyshohet të jetë narkotike të llojit marihuanë në një operacion policor në Suharekë.
Policia ka njoftuar se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë - Njësia Prizren, kanë trajtuar në aspektin policor një informacion. Në realizim të veprimeve operativo-hetimore në terren, është arritur të lokalizohet një vend, ku dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike.
“Kështu, dje më 16.09.2025, në një fshat të Suharekës, në një objekt (stallë), janë gjetur lëndë që dyshohet të jetë narkotike të llojit marihuanë në proces të tharjes (terjes)”.
“Në vendin e ngjarjes është ftuar edhe prokurori, kurse pos lëndës narkotike është gjetur edhe një granatahedhës (mortajë dore) dhe një pushkë gjuetie”.
“Pas peshimit të lëndëve narkotike ka rezultuar se pesha totale ishte 512 kg e 89 gr, vlerësohet se vlera e tregut është rreth 750 mijë euro. Në vendngjarje janë gjetur dhe konfiskuar dëshmi relevante me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me rastin, një person i dyshuar, i njohur për Policinë, ndodhet në arrati. /Zëri