Lufta kundër spiunazhit në Kosovë, avokati: Kosova po tregon përkushtim serioz
Kosova ka nisur edhe luftën kundër spiunazhit, e institucionet e sigurisë tashmë kanë gjetur dhe fakte me të cilat i ngarkon disa persona, mesin e tyre dhe shqiptarë të cilët nuk hezituan të bëjnë argatin e Inteligjencës serbe - BIA.
Avokati Arbër Jashari derisa ka duartrokitur Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), e ka cilësuar veprimtarinë e spiunazhit si krim serioz që cenon rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.
“Kosova për vite të tëra ka qenë, si të thuash, një oazë e shërbimeve të huaja, përfshirë edhe atyre që nuk ia duan të mirën këtij vendi. Nga vendet të cilat janë jo miqësore me Republikën e Kosovës, siç është Republika e Serbisë, ku ato kanë operuar pa e parë pasojën ose frikën se mund të zihen, të zbulohen apo dhe të arrestohen, viteve të fundit, sidomos nga viti 2023 e tutje, kemi parë një përkushtim më të madh të institucioneve të sigurisë, siç është Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe strukturat e sigurisë, të cilët kanë arrestuar disa persona; madje ka prej tyre që janë akuzuar nga prokuroria në një procedurë të mëtejshme dhe janë shpallur fajtorë. Kishim rastin ku një zyrtar i lartë, i cili ka punuar më herët në strukturat e shtetit të Kosovës, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Disa raste janë në pritje e sipër. Kemi rastin e atyre personave në Ferizaj, Bedri Shabani dhe Muharremi Qerimi, për të cilët është ngritur aktakuzë në shkallë të parë dhe tashmë pritet vetëm vendimi i Apelit”, ka deklaruar Jashari.
Jashari ka përmendur edhe rastin e punonjës së OSBE-së, Jelena Gjukanoviq.
“Kemi raste, siç është ish-punëtorja e OSBE-së, të cilëve u është ngritur aktakuzë. Kemi parë një përkushtim të madh të institucioneve të sigurisë së Kosovës në luftimin e spiunazhit. Krejt kjo punë ka rezultuar me arrestime, aktakuza dhe në një rast apo dy ka pasur edhe aktgjykim. Është mirë që organet e Kosovës janë vetëdijesuar dhe kanë arritur në atë nivel që ta luftojnë këtë dukuri, sepse është dukuri e rrezikshme e cila natyrisht i bën dëm shtetit të Kosovës dhe tenton ta luftojë, ta minojë shtetësinë e Kosovës nga brenda. Përderisa të ketë struktura të organizuara të spiunazhit në shtetin e Kosovës, atëherë kjo paraqet një rrezik për sigurinë e këtij shteti”, tha ai për Ekonominë Online.
Më tej, jashari ka thënë se Kosova ka qenë terren i shërbimeve të huaja, me theks ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.
“Tani është koha kur institucionet e Kosovës kanë arritur një pjekuri dhe maturi dhe kanë arritur në një stad dhe në atë nivel që t’i identifikojnë dhe t’i kapin. Ndoshta në të kaluarën ky kriminalitet, sepse spiunazhi është krim, nuk ka qenë shumë prioritet i vetë institucioneve – për arsye që nuk i di. Fakti që ka pasur një mobilizim të madh kohëve të fundit tregon për një qasje të re të institucioneve, krahasuar me të kaluarën. Kemi një luftë më serioze nga ana e organeve të sigurisë kundër spiunëve dhe spiunazhit, i cili është i dëmshëm dhe nuk dyshoj që në të kaluarën, përmes kësaj veprimtarie kriminale të agjenturës, janë bërë shumë dëme shtetit të Kosovës”, shtoi avokati Jashari.
Të martën para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur gjykimi fillestar ndaj Jelena Gjukanoviqit, e cila po akuzohet për spiunazh nga Prokuroria Speciale. Kjo e fundit, para trupit gjykues, nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që i ngarkohen.
Sipas aktakuzës Gjukanoviq “ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të Misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, Agjentit Rezident të BIA-s, Aleksandër Vllaiq, të cilit i ka përcjellë informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj janë transmetuar tek zyrtarë të lartë të BIA-s, përkatësisht përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari tjetër, ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në zyrat e BIA-s në Beograd”.
Kujtojmë se deri më tani, veç Gjukanoviqit, në Kosovë për spiunazh te BIA serbe janë arrestuar, Bedri Shabani, Muharrem Qerimi, Aleksandër Vllajiq, Bojan Jevtiq dhe Hysri Selimi.