Konflikti familjar përfundon me tragjedi: Detaje se si Bekim Ramusa dyshohet se vrau djalin e axhës në Ferizaj
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Balaj të Ferizajt.
Pasi që një konflikt brenda familjes Ramusa ka përfunduar në tragjedi.
Katër plumbat që i shkrepi Bekim Ramusa mbi djalin e axhës së tij Ibrahimin dolën te jenë fatale për këtë të fundit.
Viktima dhe dorasi bazuar në hetimet fillestare dyshohet të kenë pasur mos marrëveshje kaherë sipas Policisë së Kosovës.
“Në ditën kritike, pas një fjalosjeje, i dyshuari kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte shtënë katër herë mbi viktimën.
Pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka thirrur policinë për rastin dhe vendndodhjen e tij. Ai është arrestuar më pas dhe është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, në Sektorin Rajonal të Hetimeve”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Polica e Kosovës, njoftoi se gjatë bastisjes në shtëpinë e dorasit përveç sekuestrimit të armës që dyshohet te jetë kryere krimi, ka hasur edhe në një pushkë gjahu me 72 fishekë, një pushkë ajrore.
Kështu, prokuroria po e ngarkon të akuzuarin me veprën penale, “ Vrasje e rëndë”.
“I pandehuri me dashje e ka privuar nga jeta të dëmtuarin – djalin e axhës se tij, I.R., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje te mëhershme qe kishin pasur si pasoje e problemeve në lidhje me një konflikt pronësor, me t’u takuar ne rrugën e fshatit me njeri-tjetrin, pas fjalosjes verbale, në atë moment i pandehuri B.R., e nxjerr revolen e tipit ZIG 14 TISAS dhe shtënë katër herë në drejtim të viktimës I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit, me ç’rast viktima nga lëndimet e shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë rrugës duke e dërguar për në Qendrën Emergjente të Ferizajt, me të cilën do të kryente veprën penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet nga Prokuroria.
Televizioni ka tentuar të marr edhe një qëndrim nga familja e viktimës, por që të njëjtin për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk donin të prononcoheshin për media./teve1