Shtyhet pësëri rikthimi i Barcelonës në “Camp Nou”

Barcelona ka konfirmuar se rikthimi i tyre në “Camp Nou” nuk do të ndodhë këtë fundjavë, kur Getafe do të udhëtojë në qytet për ndeshjen e dytë si vendas e katalanasve këtë sezon.

Blaugranasit debutuan në shtëpi të dielën e kaluar me fitoren 6-0 ndaj Valencias në “Estadi Johan Cruyff”.

“Spotify Camp Nou” fillimisht ishte planifikuar të ishte gati në nëntor të vitit 2024, por pas disa vonesave, javën e kaluar klubi konfirmoi se nuk do të përfundonte në kohë për debutimin në La Liga këtë sezon.

Barça është ende duke punuar për të marrë Certifikatën e Përfundimit të punimeve mbi stadiumin, pas së cilës mund të aplikojnë për licencën e hapjes.

Për këtë arsye, ndeshja e së dielës ndaj Getafes do të luhet sërish në “Estadi Johan Cruyff”, me kapacitet prej 6,000 ulësesh.

Shitja e biletave do të hapet fillimisht për poseduesit e aboneve në Montjuïc, pastaj për anëtarët dhe në fund për publikun e gjerë. Klubi nuk ka dhënë ende ndonjë afat konkret për rikthimin.

Sipas “El Chiringuito”, plani është që Barcelona të kthehet në shtëpinë e saj më 28 shtator, në ndeshjen kundër Real Sociedad, ndërsa aty do të zhvillohet edhe përballja e parë në shtëpi në Ligën e Kampionëve kundër Paris Saint-Germain.

Megjithatë, gjithçka varet nga sigurimi i shpejtë i licencave nga Këshilli, proces që është shtyrë disa herë deri tani.

Strategjia e hapjes së stadiumit do të bëhet në katër faza:

Fillimisht do të hapen dy tribuna me kapacitet prej 27,000 spektatorësh.

Më pas kapaciteti do të zgjerohet në 45,000 dhe 60,000 deri në fund të sezonit.

Faza finale do të shohë hapjen e plotë me 105,000 ulëse, por kjo nuk pritet të ndodhë para dy viteve, pasi duhet përfunduar rrethi i tretë.

Pra, Barça ende nuk ka një datë të garantuar për rikthimin në Camp Nou, por shpresa është që fundi i shtatorit të sjellë ndeshjen e parë aty.