Shahini reagon për zhvillimet e fundit në vend: Kosova në pozitën më të rëndë që nga paslufta
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, duke thënë se sanksionet e Bashkimit Evropian dhe pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-në po e vendosin shtetin në pozitën më të rëndë që nga paslufta
Sipas tij, përjashtimi nga nisma e partneritetit strategjik, është ndër masat më serioze që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë ndonjëherë ndaj Kosovës.
“Kjo është një nga veprimet më të rënda që Amerika i ka bërë Kosovës”, ka thënë Shahini.
Shahini ka paralajmëruar se vendosja e Kosovës në një grup me shtete si Rusia, Kina dhe Gjeorgjia, të cilat janë përjashtuar nga dialogu strategjik, ka pasoja të mëdha për imazhin ndërkombëtar të vendit.
Duke folur për zhvillimet e fundit, ai ka thënë se pezullimi i dialogut me SHBA-në, vendos Kosovën në pozitë të krahasueshme me vendet që konsiderohen si agresorë ndaj demokracisë.
“Kosova po perceptohet njëjtë si Rusia pas agresionit në Ukrainë”, ka thënë ai, duke shtuar se vendi rrezikon të shihet si kërcënim ndaj demokracisë perëndimore dhe asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndër të tjera, ai ka thënë se kjo gjendje rrezikon në masë të madhe rënien e investimeve të huaja dhe dëmtimin e rëndë të imazhit politik, ekonomik dhe diplomatik të Kosovës.
Lideri i AKB-së gjithashtu ka kritikuar qeverisjen e brendshme dhe ngërçin institucional që sipas tij ka ndikuar në thellimin e krizës.
“Është e pakuptimtë që institucionet janë jashtë funksionit tash e një vit dhe merren me fushatë”, ka thënë ai, duke shtuar se “nuk shihet fundi i ndërtimit të institucioneve.”
Ai ka thënë se mesazhi i SHBA-së është i qartë, ku sipas tij, të njëjtit kërkojnë ndryshim qasjeje, veçanërisht nga kryeministri Albin Kurti.
“SHBA-ja marrin veprime të ngjashme kundër liderit të një shteti në këtë rast Albin Kurtit, e qe më këtë dëshirojnë t’i dërgojnë mesazh votuesve që të ndryshojnë mendjen, qasjen edhe vetë liderit që të ndryshojë qasjen ndaj votuesve, ndaj partnerëve vendor e ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Shahini ka përfunduar duke paralajmëruar se, nëse kjo situatë vazhdon, rënia e investimeve të huaja dhe dëmtimi i besimit ndërkombëtar do të jenë pasoja të pashmangshme. /eo