Luis Enrique: Synojmë sërish Ligën e Kampionëve

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka bërë të qartë se objektivi i tij dhe i skuadrës është të fitojnë sërish Ligën e Kampionëve, pasi triumfuan sezonin e kaluar.

PSG do të përballet me Atalantën të mërkurën, në ndeshjen e parë të fazës së ligës në këtë edicion të ri.

“Nuk shoh ndonjë ndryshim nga sezoni i kaluar. Çdo ndeshje është e vështirë. A po luajmë pak më keq? Nuk jam dakord. Ne gjithmonë analizojmë atë që bëjmë. Sezoni i kaluar ishte i vështirë për shkak të efikasitetit të ulët. Por kjo është një pjesë normale e një procesi për një ekip që dëshiron të përmirësohet. Tani kemi më shumë besim në Ligën e Kampionëve sesa kishim vitin e kaluar”, ka thënë fillimisht Enrique.

“Pasi fituam titullin evropian, qëllimi ynë, dhe gjithashtu qëllimi i klubit, i qytetit dhe i tifozëve tanë është të bëjmë histori përsëri dhe të fitojmë Ligën e Kampionëve për herë të dytë radhazi. Duhet të jemi ambiciozë”.

“Në mentalitetin tim, dëshira për të përmirësuar është e rrënjosur, për t’ua treguar lojtarëve se nuk mund të relaksohen. Të jesh ambicioz është normale, gjithmonë duhet të mendosh për përmirësim”.

“Të fitosh titullin e parë është gjithmonë e vështirë, sepse lojtarët nuk mendojnë se janë të aftë ta bëjnë. Por ne ua treguam rrugën. Tani i gjithë PSG dhe lojtarët e rinj duan të fitojnë, sepse e dinë që janë të aftë. Për mua, është më e vështirë të fitosh herën e parë sesa të dytën apo të tretën”.

“Nuk kam nevojë të bëj asgjë, lojtarët janë po aq ambiciozë sa sezonin e kaluar. Vitin e kaluar thashë se lojtarët e shijojnë futbollin, dhe është e lehtë për mua t’i motivoj ata. Ne jemi të bindur se kemi një shans për të fituar sërish këtë trofe”, përfundoi trajneri i PSG-së.