Operacion policor në Shtime, Drenas dhe Lipjan, arrestohen pesë persona dhe sekuestrohen armë
Policia e Kosovës sot ka realizuar një operacion policor në Shtime, Lipjan dhe Drenas, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar.
Operacioni policor është zhvilluar pas dyshimeve të bazuara për përfshirje të të dyshuarve për veprat penale 'importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse' dhe 'mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve', ku me urdhër të gjyqtarit kompetent janë kontrolluar pesë lokacione të ndryshme , në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të dyshuar, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmi materiale si:
• 1 AK-47,
• 1 pushkë e gjatë me dylbi,
• 1 pushkë e gjuetisë,
• 1 revole,
• 116 fishekë të kalibrave të ndryshëm,
• 8 fishekë me gaz,
• 2 pushkë ajrore,
• 5 telefona.
“Pas intervistimit me vendim të prokurorit pesë (5) të dyshuarit dërgohen në qendrën e mbajtjes për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri