“Jashtëzakonisht e pamatur dhe e tmerrshme”: Liderët evropianë reagojnë ndaj ofensivës së re të Izraelit në Gazë

Ministra të jashtëm evropianë kanë reaguar ndaj asaj që Izraeli e ka quajtur një ofensivë të re tokësore në qytetin e Gazës sot.

CNN publikoi një përmbledhje të asaj që ata kanë thënë deri më tani:

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, e quajti sulmin e ri të ushtrisë izraelite “jashtëzakonisht të pamatur dhe të tmerrshëm”, duke thënë në një postim në X se ai do të “sjellë vetëm më shumë gjakderdhje, do të vrasë më shumë civilë të pafajshëm dhe do t’i rrezikojë pengjet e mbetura” që mbahen në enklavë.

Ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, gjithashtu shkroi në X, duke thënë se “intensifikimi i operacionit izraelit në Gazë sjell më shumë viktima, zhvendosje të mëtejshme dhe zhvendosjen e detyruar të popullsisë civile palestineze. Vuajtjet e tyre tashmë janë të papërshkrueshme”.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, u tha gazetarëve se ofensiva më e fundit izraelite në Gazë është “plotësisht qasje e gabuar”, duke shtuar se vendi i tij ia ka bërë të qartë qeverisë izraelite se e refuzon vendimin e saj.

Ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, tha se vendi i saj është “jashtëzakonisht i shqetësuar” nga sulmi i ri. “Ne kemi qenë shumë të qartë që nga fillimi kur këto plane u paraqitën se çdo ndryshim i territorit me forcë do të ishte një shkelje e së drejtës ndërkombëtare”, tha ajo.