Aleanca për Shqiptarët paralajmëron rritjen e ndikimit të “Botës Serbe” në Maqedoni përmes projekteve hoteliere

Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me promovimin dhe përkrahjen që pushteti aktual ua jep projekteve të lidhura me figura dhe struktura që hapur përfaqësojnë interesat e “Botës Serbe” dhe ndikimit rus në rajon.

Sipas tyre, takimi i kryeministrit Hristijan Mickoski me aktorin serb Millosh Bikoviq, i cili së fundmi ka marrë shtetësinë ruse me dekret të presidentit Vladimir Putin dhe ka qenë i pritur prej tij për rolin në filmin propagandistik “Kufiri Ballkanik”, është sinjal alarmant për drejtimin ku po shkon vendi.

“Plani për investim në një kompleks hotelierik dhe rekreativ në Berovë, nën petkun e zhvillimit ekonomik dhe turizmit, në fakt është pjesë e rrjetëzimit strategjik të projekteve që i shërbejnë përhapjes së narrativës dhe ndikimit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut. Ky projekt nuk mund të shihet i izoluar, por duhet të vendoset në kontekstin e përpjekjeve të Beogradit dhe Moskës për të konsoliduar praninë e tyre politike, ekonomike dhe kulturore në vend”, thuhet në reagimin e Aleancës.

Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se çdo tentativë për të kthyer Maqedoninë e Veriut në fushë veprimi të interesave të huaja hegjemoniste është në kundërshtim me orientimin euroatlantik të shtetit dhe rrezikon sigurinë kombëtare, stabilitetin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë.

“Vleni po qëndron në heshtje për këtë çështje kritike, duke u fshehur pas pallavrat e së kaluarës dhe duke shmangur çdo përgjegjësi konkrete. Ndërkohë që ndikimi i “Botës Serbe” dhe projekteve me përkrahje ruse po shtohet në vend, Vleni duket më i interesuar të manipulojë opinionin me histori të kaluara sesa të reagojë ndaj zhvillimeve reale që rrezikojnë sovranitetin dhe orientimin perëndimor të Maqedonisë së Veriut. Heshtja e tyre tregon një mungesë të qartë vizioni dhe angazhimi për të mbrojtur interesat kombëtare”, thuhet në deklaratë.

Tutje në deklaratë thuhet se “ne do të mbetemi në ballë të përpjekjeve për të mbrojtur sovranitetin, orientimin perëndimor dhe interesat e shqiptarëve dhe të gjitha komuniteteve që besojnë në një Maqedoni të lirë dhe demokratike”. /Zëri