Para se të vinte në Prishtinë, Valtoneni la një porosi në Beograd: Normalizoni marrëdhëniet me Kosovën

Ministrja e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, njëkohësisht kryesuese aktuale e OSBE-së, para se të vinte në Prishtinë për një vizitë zyrtare, qëndroi në Beograd.

Atje ajo u interesua për situatën me protestat dhe kërkesat e tyre drejt qeverisë serbe, si dhe për kushtet në të cilat po funksionon shoqëria civile.

Valtoneni vuri në dukje se qeveria atje i ka shtypur me dhunë protestat që shpërthyen kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.

“Në muajt e fundit në Serbi ka pasur protesta në shkallë të gjerë pothuajse çdo ditë. Kryesisht, studentët kanë qenë pas tyre. Qeveria gjithashtu i ka shtypur demonstratat me dhunë. Vizitova kryeqytetin e Serbisë, Beogradin, për t’u njohur me situatën si kryesuese e OSBE-së. E filluam ditën duke u takuar me stafin në terren të OSBE-së, si dhe me një sërë të gjerë përfaqësuesish nga shoqëria civile. Diskutuam situatën në vend dhe protestat, mbrojtjen e kushteve të funksionimit për shoqërinë civile dhe kërkesat e aktorëve ndaj qeverisë së vendit”, ka shkruar Valtoneni në X.