James Rubin për Kadri Veselin: Nuk më kujtohet ky individ
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të martën po e vazhdon dëshminë ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pyetjet për këtë dëshmitar po i vazhdon prokurori James Pace.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, i cili e pyeti nëse e ka takuar Kadri Veselin para shkurtit 1999, dëshmitari James Rubin tha se nuk i kujtohet Veseli.
“Nuk më kujtohet ky individ dhe nuk mund t’i përgjigjem pyetjes”, tha Rubini.
Ndonëse prokurori tha se ka qenë Veseli pjesë e delegacionit në Rambuje, sërish James Rubin tha se nuk e di.
Ndërkaq, pohoi se gjatë Marrëveshjes së Rambujesë, në Kosovë mbaheshin takime në mes komandantëve të UÇK-së, të cilat nuk ishin të mbyllura.
Dëshmitari tha se nuk është i sigurt nëse ka marrë pjesë në ndonjërën prej tyre. Ai tha se mund të ketë rast që ka qenë i pranishëm ndonjëherë por që nuk ka kuptuar shqip.
Rubini theksoi se nuk mendon që është takuar më herët me Jakup Krasniqin përpara shkurtit 1999.
“(Shkurti 1999 në Rambuje dhe prilli 1999 në Bruksel) ato mendoj që janë dy rastet që jam takuar me të. Ka pas shumë gjëra që po ndodhnin gjatë atyre muajve dhe nuk mund të jem absolutisht i sigurt”, tha Rubini.
Në këtë seancë të gjithë të akuzuarit janë prezentë në sallën e gjyqit.