“Thaçi s’kishte kontroll mbi UÇK-në”, dëshmia e James Rubinit lajm edhe në “Reuters”

Dëshmia e fortë e James Rubinit brenda sallës së gjyqit në Hagë, në mbështetje të Thaçit dhe të tjerëve, po bën bujë në mbarë botën.

Pas agjencisë AP, për dëshminë e tij disaorëshe ka raportuar edhe "Reuters".

Artikulli i Reuters nis kështu:

Ish-diplomati i lartë i Amerikës dëshmoi të hënën se Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, nuk kishte autoritet mbi komandantët ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillim të çështjes së mbrojtjes në gjyqin e tij për krime lufte.

James Rubin, një ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, ishte i pranishëm në bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë dhe i përfshirë në pasojat e kryengritjes së Kosovës të viteve 1998-99 kundër trupave serbe.

Në dëshminë e tij, ai e portretizoi Thaçin si një udhëheqës diplomatik që duhej të kërkonte miratim nga komandantët ushtarakë të UÇK-së. “Për mua ishte e qartë se ai nuk ishte në krye. Ai nuk kishte njohuritë, aftësitë ose autoritetin për të marrë vendime”, i tha Rubin gjykatës së Thaçit.

Thaçi dhe tre ish-komandantë të tjerë të UÇK-së janë në gjyq që nga viti 2023. Ata përballen me akuza për persekutim, vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë gjatë dhe menjëherë pas konfliktit të viteve 1990 që përfundimisht solli pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij i mohojnë akuzat.

Rubin theksoi se besonte se Thaçi nuk kishte kontroll mbi komandantët e tjerë të lartë të UÇK-së. “Ata i thanë çfarë të bënte, ai nuk u tha atyre çfarë të bënin”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.