Dëshmia e James Rubinit në Hagë bëhet lajm nga “Associated Press”
Dëshmia e ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin, që po mbahet tash e tri orë në Dhomat e Specializuara në Hagë, është bërë lajm edhe në mediat ndërkombëtare.
Agjencia prestigjioze e lajmeve “Associated Press” ka raportuar sot mbi paraqitjen e tij si dëshmitar i parë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në artikull AP-ja shkruan:
“Zëdhënësi i dikurshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin, dëshmoi të hënën si dëshmitari i parë i mbrojtjes për Hashim Thaçin, ish-presidentin e Kosovës, i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës së viteve 1998-’99 për pavarësinë e vendit të tij nga Serbia.
Thaçi po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë bashkë me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftuan forcat serbe gjatë luftës. Ata shihen gjerësisht si heronj kombëtarë në atdheun e tyre.
Rubin ishte me ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në bisedimet e paqes në Francë në vitin 1999 dhe më pas mori pjesë në negociatat për çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e përshkroi Thaçin si një “fytyrë politike” të forcës, pa pushtet real.
“Ishte e qartë për mua se ai nuk ishte në krye”, tha Rubini para gjykatës. “Ai nuk kishte dijeni, aftësi ose autoritet për të marrë vendime në asnjë formë”.
Thaçi u ngrit në pushtet pas luftës, por dha dorëheqje nga posti i presidentit për t’u mbrojtur ndaj akuzave që i ngarkohen bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, përfshirë vrasje, persekutim, torturë dhe zhdukje me forcë.
Gjyqi nisi më 3 prill 2023, me Thaçin, i njohur gjatë luftës si “Gjarpri”, që u tha gjyqtarëve se ishte i pafajshëm. Prokuroria e përfundoi rastin e saj pas thirrjes së 125 dëshmitarëve.
Prokurorët argumentuan në hapje të gjyqit se nuk po vendoset në bankën e të akuzuarve as Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe as lufta për pavarësi.
“Këta katër të akuzuar janë në gjyq në lidhje me përgjegjësinë e tyre personale për krimet e kryera ndaj personave që ata i shihnin si kundërshtarë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë të Kosovës”, tha prokurorja Clare Lawson para Gjykatës.
Shumica e 13 mijë viktimave të luftës ishin shqiptarë etnikë. Lufta përfundoi me një fushatë 78-ditore të sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbe.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, një veprim i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete perëndimore, por i refuzuar nga autoritetet në Beograd.
Gjykata në Hagë dhe zyra e saj e prokurorisë u krijuan pas një raporti të vitit 2011 nga Këshilli i Evropës, i cili përfshinte pretendime se luftëtarët e UÇK-së kishin trafikuar organe njerëzore të marra nga të burgosurit dhe kishin vrarë serbë e shqiptarë të tjerë. Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tij nuk ngarkohen me akuza për trafikim organesh.
Seanca e së hënës u zhvillua në një kohë ngërçi politik në Kosovë, shtatë muaj pas zgjedhjeve. SHBA-ja, një nga mbështetësit kryesorë të Kosovës, të premten pezulloi bisedimet me vendin, duke fajësuar qeverinë kujdestare për rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në Kosovë dhe rajon”, shkruhet në artikull. /KlanKosova
Artikullin e plotë mund ta lexoni KËTU.