“Unë e di që ti e di që s’mund ta kontrollosh UÇK-në” - Thaçi i buzëqeshur kur lexohet deklarata e Bidenit për të

Sot në Hagë po dëshmon ish-nënsekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, i cili është ftuar nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjatë dëshmisë, atij iu prezantua një dokument i Komitetit për Punë të Jashtme i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku atëherë Hashim Thaçi, si 29-vjeçar, ishte takuar me Joe Bidenin, i cili atë kohë kishte funksionin e senatorit.

Në këtë dokument përshkruhet edhe një pjesë e bisedës mes Thaçit dhe Bidenit, ku ky i fundit ia kishte dhënë disa këshilla.

“Z. Thaçi më tha: ‘Ti ke qenë 29-vjeçar kur e ke marrë detyrën, ashtu siç jam edhe unë tani, a keni ndonjë këshillë?’. Meqë po më pyesni, atëherë po jua them menjëherë, mirëpo jemi në rrethana të ndryshme. ‘Cila është këshilla juaj’, më tha z. Thaçi. Këshilla e parë: ‘Mos e merr veten shumë seriozisht?’. Këshilla e dytë: ‘Edhe unë e di që ti e di që s’mund ta kontrollosh UÇK-në’”, thuhet në pjesën e dokumentit që përshkruante bisedën mes të dyve.