“Summer Cult XII”, një javë festive teatrore në Prishtinë

Festivali “Summer Cult”, me moton “Jetoje artin jashtë kornizave”, nis këtë të hënë në Prishtinë, duke sjellë në skenën teatrore trupa nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bullgaria.

Për gjashtë netë me radhë, në qendrën Barabar, shfaqjet do të garojnë për çmimet e festivalit, që do të ndahen më 20 shtator, thuhet në njoftimin për media të Cult Club, që e organizon ngjarjen. Edhe edicioni i 12-të, do të jetë dinamik dhe i larmishëm, me aktivitete të ndryshme, diskutime rreth shfaqjeve, trajnime me personalitete të teatrit, konferencë teatrore, stand-up comedi, lexim skenik, etj.

Festivalin e hap më 15 shtator në orën 20:00, shfaqja nga Kosova, “Bouncers”, me regji të Kastriot Saqipit, ku luajnë aktorët Bleron Hevziu, Erion Fetahu, Venera Bojaj dhe Muhamed Tërtini. Sipas njoftimit nga “Cult Club”, kjo shfaqje ka një ritëm të shpejtë dhe humor të zi, ndërsa ofron një pasqyrë satirike të jetës urbane natën, duke trajtuar tema si maskilizmi, marrëdhëniet gjinore dhe identiteti në shoqërinë moderne.

Të martën, më 16 shtator, në orën 17:00 jepet premiera e Leximit Skenik “Qengji i butë thith vrerë”, me autor Euron Kadriun, dramaturg, skenarist, aktor dhe regjisor nga Kosova. Po këtë ditë, prej orës 20:00, është shfaqja “Detektivi dhe Nana”  e autorit dhe regjisorit Agush Mulliqi. Interpretojnë aktorët Lorent Pacolli  dhe Drin Berisha. Kjo vepër tregon se sa më thellë zbulohet e vërteta, aq më shumë përzihen drejtësia, hakmarrja dhe plagët që nuk i përkasin vetëm një brezi. “Detektivi dhe Nana” është një dramë me humor të zi, ku dhuna, dashuria dhe hakmarrja përplasen në një dhomë të vetme.
Në kuadër të programit të festivalit, të mërkurën më 17 shtator, mbahet aktiviteti tjetër, një diskutim i titulluar Profil, me krijuesen Dhurata Hoti, e cila ka mbi një dekadë përvojë në dramaturgji, skenare dhe gazetari, e shpërblyer për veprat e saj.

Ndërkohë, po në këtë ditë prej orës 20:00, jepet shfaqja “Psikozë 4.48”  me regji të Qendresa Spahiut. Në këtë shfaqje interpretojnë : Advije Ukca, Agnes Nokshiqi, Albina Krasniqi, Donike Ahmeti, Kosovare Krasniqi. “ Psikoze 4.48” tregon shpërbërjen e identitetit dhe kompleksin e përvojave të individëve që përballen me çrregullime mendore, përmes pesë personaliteteve të Saras.

Të enjtën mbahet në mesditë  Konferenca Teatrore – Edicioni VII, që sivjet temën kryesore e ka “Teatri në Kohën e Inteligjencës Artificiale: Mes Sfidave dhe Mundësive”. Panelistët, emra të njohur të teatrit dhe të Universitetit, do të shtjellojnë ndikimin e inteligjencës artificiale te teatri.

Prej orës 20:00, publiku mund të përcjellë shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” nga Shqipëria, me regji të Erina Lazit. Interpretojnë: Klajdi Malellari, Klodian Çelmeta, Eno Basha, Eva Gjika, Kejda Shqefni. Shfaqja bazohet në romanin e njohur të shkrimtarit Ismail Kadare që rrëfen historinë e një gjenerali italian në kërkim të eshtrave të ushtarëve italianë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Të premten me 19 shtator, në Fakultetin e Arteve, në orën 17:00 mbahet trajnimi për regjisorë, aktorë dhe dramaturgë “Transformimi i Procesit Krijues në Epokën e Inteligjencës Artificiale” me ligjërues, profesorin Milto Kutali.

Ndërsa në mbrëmje, prej orës 20:00, jepet shfaqja “Qeni i Vogël Qeshi” nga Bullgaria, me regji dhe adaptim të Ana Batevës, ku interpreton Sevar Ivanov. Shfaqja tregon për fuqinë degraduese të egos, e cila mund ta shtyjë me rrëmbim një njeri larg realitetit, që zëvendësohet nga ëndrrat, ku vetëdashuria dhe narcisizmi arrijnë kulmin.

Të shtunën më 20 shtator, jepet shfaqja “Gishti” nga Maqednia e Veriut, me regji të Refet Abazit dhe Hismet Ramadanit, ku luajnë: Yllka Nuredini, Melika Kastrati, Bejtulla Kerimi. Grindjet e përditshme, prerja e perimeve dhe palosja e rrobave, tregojnë ngadalësinë e jetës dhe intensitetin e marrëdhënieve, duke hapur për publikun dimensionet më të thella të vuajtjes dhe tensionit midis tyre.

Në natën finale, prej orës 21:00, publiku mund të shijojë një Stand-Up Comedy nga aktorja e njohur Valina Muqolli.

Të gjitha shfaqjet janë falas për publikun, por rezervimet duhet të bëhen paraprakisht. Në fund të secilës shfaqje, do të ketë edhe diskutime dhe kritikë teatrore.

Drejtoresha e festivalit, Prof.dr.Eli Nura ka theksuar se fokusi i aktiviteteve është te mbështetja  dhe promovimi i artistëve të rinj. “Summer Cult” është platforma jonë e përbashkët, ku arti tejkalon çdo kornizë, është shprehur Nura.

Festivali mbyllet me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, që kanë edhe vlerë monetare. Shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktorët e aktoret më të mira, si dhe një çmim special, do të përzgjidhen nga juria profesionale e festivalit e përbërë nga: Zymber Kelmendi, dramaturg dhe skenarist i njohur, me përvojë të pasur në teatër dhe film, Suela Konjari, një nga aktoret më të njohura dhe të dashura shqiptare, me një karrierë të pasur në teatër, kinema dhe regji dhe Gent Çajani, regjisor dhe producent avangard, me një karrierë të pasur në teatër dhe film.

Festivali “Summer Cult”, realizohet nga Cult Club dhe është pjesë e programit vjetor të kësaj organizate kulturore me përvojë të gjatë. Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thuhet në njoftimin për media të organizatës./rtk