Limaj në mbështetje të protestuesve në Hagë: Jemi me ju, pa asnjë rezervë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dalë hapur në mbështetje të protestuesve shqiptarë që janë mbledhur sot në Hagë për të kërkuar drejtësi dhe lirimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Limaj, vetë një ish-luftëtar dhe komandant në luftën çlirimtare, deklaroi se është "pa asnjë rezervë" në krah të qytetarëve që sot kanë udhëtuar nga mbarë bota për të protestuar në mbrojtje të vlerave të luftës së drejtë të UÇK-së.

"Unë jam me ta, pa asnjë rezervë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare, të sakrificës dhe dinjitetit kombëtar. Si bashkëluftëtar që kam ndarë orë, ditë dhe beteja me ta që nga fillimet e luftës, e di mirë se historia e Kosovës nuk mund të shkruhet nga akuza të padrejta që duan të njollosin sakrificën", u shpreh Limaj.

Ai theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë legjitime dhe e përkrahur nga miqtë dhe aleatët ndërkombëtarë, të cilët e kanë njohur të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe demokraci.

Në shenjë solidariteti me protestuesit, Nisma Socialdemokrate ka vendosur të pezullojë të gjitha aktivitetet e saj zgjedhore për ditën e sotme.

"Sot zgjedhim të jemi me ju, me drejtësinë dhe me të vërtetën. Bashkë duhet të punojmë që zëri i popullit të dëgjohet, që sakrifica e një populli të mos njolloset dhe që drejtësia të triumfojë", theksoi Limaj.

Protesta e organizuar në Hagë vjen si reagim ndaj proceseve gjyqësore ndaj disa ish-krerëve të UÇK-së, për të cilët mbështetësit thonë se po mbahen padrejtësisht dhe se proceset kundër tyre janë të motivuara politikisht.