Besiana Mehmedi nderohet me titullin “Ambasadore e Paqes” në Tiranë
Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Federatës për Paqe Universale, në një ceremoni solemne të mbajtur në Tiranë, artistja dhe pedagogia e njohur shqiptare, Besiana Mehmedi, u nderua me titullin e lartë ndërkombëtar “Ambasadore e Paqes”.
Ky vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar i akordohet individëve që, përmes veprimtarisë së tyre në fusha të ndryshme, kontribuojnë në ndërtimin e paqes, mirëkuptimit ndërkulturor dhe dialogut ndërpopullor.
“Po ndaj me ju një moment të jashtëzakonshëm për karrierën time dhe një emocion që më bën të besoj se ia vlen të mbetesh e pathyeshme në rrugën e vlerave, në jetë dhe profesion! Ky çmim merr vlerë edhe më të madhe për faktin që më është dhënë në Tiranën e studimeve të mia, mes personaliteteve të shquara dhe përfaqësuesve të paqes nga vende të ndryshme të botës”, shkroi ajo në Facebook.
Ceremonia u përmbyll me një moment tejet emocional, ku të pranishmit kënduan së bashku këngën “Dua më shumë Shqipërinë”, një simbolikë e fuqishme e unitetit kombëtar dhe dëshirës për paqe.