“Kurti përgjegjës kryesor”, historianët e Deçanit reagojnë për pezullimin nga Amerika
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka theksuar se me shqetësim të madh ka pranuar lajmin për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të pezullojnë Dialogun Strategjik me Kosovën.
Ata konsiderojnë se ky vendim është pasojë ”direkte e veprimeve të papërgjegjshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili me politikat e tij konfrontuese e ka vendosur Kosovën në një pozitë të izoluar dhe të rrezikshme”.
“Për ne, historianët e Deçanit, raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është themelor dhe i pazëvendësueshëm. Pavarësia e Kosovës, liria dhe shtetësia jonë janë ndërtuar mbi përkushtimin e aleatit tonë më të madh strategjik – ShBA-së. Çdo tentim për ta minuar këtë partneritet paraqet jo vetëm një papërgjegjësi politike, por edhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj projektit kombëtar për të cilin shqiptarët kanë sakrifikuar shekuj me radhë”.
“Ne e konsiderojmë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, përgjegjës kryesor për këtë zhvillim negativ. Në vend që të ndërtonte ura besimi me partnerët tanë ndërkombëtarë, ai ka zgjedhur rrugën e retorikës populiste, të kokëfortësisë politike dhe të aventurës personale, duke e futur shtetin në krizë të thellë dhe duke cenuar të ardhmen e gjeneratave të reja”, thuhet në reagim.
Dega në Deçan e Lidhjes së Historianëve, i ka bërë thirrje institucioneve që të rikthehen në rrugën e bashkëpunimit të sinqertë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e vlerësuar miqësinë shqiptaro-amerikane si vlerën më të lartë strategjike të kombit tonë.
“Miqësia me ShBA është garancia e vetme për shtetin e Kosovës dhe për paqen e qëndrueshme në Ballkan. Këtë raport nuk guxon ta prishë askush për interesa të ngushta politike”.