Për qytetarët e Maltës, Maqedonia dhe Shqipëria janë kandidatët më të dëshirueshëm për anëtarësim në BE
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë kandidatët më të dëshirueshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian midis qytetarëve të Malëtës, tregon një sondazh i "Eurobarometrit", raporton "Malta Today".
Sipas rezultateve, përcjell Telegrafi Maqedoni, 57 përqind e maltezëve mbështesin hyrjen e Maqedonisë në BE, nëse vendi përmbush kërkesat e anëtarësimit, që është i njëjti nivel mbështetjeje si për Shqipërinë.
Sondazhi tregon se shumica absolute e maltezëve mbështesin anëtarësimin e nëntë nga dhjetë vendet kandidate, përfshirë Moldavinë (54%), Malin e Zi (54%), Serbinë (53%), Ukrainën (53%), Bosnjën dhe Hercegovinën (51%) dhe Gjeorgjinë (51%), me kusht që ato të përmbushin kriteret e pranimit.
Për Kosovën, 47 përqind e maltezëve janë në favor të anëtarësimit, ndërsa e njëjta përqindje kundërshton kandidaturën e Turqisë.
Edhe pse Turqia mbetet një kandidate zyrtare për anëtarësim në BE, procesi i saj i pranimit është ngrirë që nga viti 2018 për shkak të shqetësimeve për prapambetjen demokratike, sipas Këshillit të BE-së.
Maqedonia e Veriut është kandidatja më e preferuar në dy shtete anëtare: Slloveni (70%) dhe Maltë (57%), ndërsa Shqipëria renditet e para në Maltë (57%) dhe Itali (48%).
Mbështetja për kandidatët e tjerë ndryshon: Serbia mbështetet më fuqishëm në Qipro (72%), Greqi (71%) dhe Bullgari (63%), ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ka mbështetjen më të lartë në Kroaci (74%) dhe Slloveni (70%).
Në nivelin e BE-së, Ukraina është kandidati më i preferuar për anëtarësim, por mbështetja për pranimin e saj në Maltë është më e ulët krahasuar me 14 shtete të tjera anëtare, si Suedia (91%), Danimarka (81%) dhe Finlanda (81%). Megjithatë, Malta tregon mbështetje më të lartë për Ukrainën sesa 12 shtete të tjera anëtare, përfshirë Hungarinë (30%) dhe Bullgarinë (31%), ku mbështetja është më e ulët.